Javë pozitive për legjionarët kuqezi

Legjionarët kuqezi kanë mbyllur një tjetër javë pozitive me klubet e tyre që aktivizohen jashtë vendit, teksa disa kanë lënë gjurmë me gola e asiste.

Nedim Bajrami shënoi golin e tij të parë në Uefa Europa League me skuadrën e Rangers. Futbollisti kuqezi gjeti rrugën e rrjetës që në sekondën e 55-të të ndeshjes, duke ndihmuar ekipin e tij për të arritur fitoren ndaj Malmö. Në fund takimi u mbyll 2-0 për Rangers dhe Nedim Bajrami u zgjodh lojtari i ndeshjes me notën 8.9 nga sajti i specalizuar për statistika sofascore.

Taulant Seferi vazhdon paraqitjet pozitive në Turqi, duke shënuar golin e dytë radhazi me Bodrumspor. Në fitoren 3-1 ndaj Adana Dermispor, sulmuesi kuqezi shënoi golin e dytë për skuadrën e tij dhe humbi një penallti.

Ndërkohë, në Serinë B italiane, Cristian Shpendi ka gjetur sërish rrugën e rrjetës në sfidën ndaj Mantova. Në fund Cesena triumfoi 4-2 dhe ky ishte goli i katërt në kampionat deri më tani për sulmuesin kuqezi.

Protagonist me klubin e tij këtë fundjavë ishte edhe Myrto Uzuni, i cili në barazimin 2-2 të Granada në transfertë ndaj Burgos dha një asist për golin e parë të shënuar nga Tsitaishvili.

Në javën që lamë pas, titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Thomas Strakosha, Alen Sherri, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Enea Mihaj, Arlind Ajeti, Ylber Ramdani, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Sebastjan Spahiu dhe Mirlind Daku.


Shtuar 30.09.2024 19:06