Jamal Musiala ka qetësuar tifozët pas dy rasteve të njëpasnjëshme kur u rrëzua gjatë ndeshjeve të Bayern Munichut, duke treguar edhe arsyen që qëndron pas këtyre episodeve.
Të lidhura
None found
23-vjeçari pësoi incidentin e dytë brenda pak ditësh në fitoren 4-2 të Bayernit ndaj Heidenheimit, të martën. Vetëm disa ditë më parë, një situatë e ngjashme ishte shfaqur në triumfin 3-1 kundër RB Leipzigut të shtunën, ku reprezentuesi gjerman ra në fushë dhe u largua më pas pasi mori ndihmën e stafit mjekësor.
Pas ngjarjes së fundit, futbollisti përdori Instagramin për t’u drejtuar mbështetësve dhe për të sqaruar gjendjen e tij shëndetësore.
“Para së gjithash – jam mirë! Jam veçanërisht mirënjohës për të gjitha mesazhet dhe mbështetjen tuaj. E kuptoj se shumë prej jush janë të shqetësuar. Sot dua t’ju qetësoj dhe t’ju shpjegoj pak më shumë”.
Musiala bëri të ditur se është diagnostikuar me episode të shkurtra dhe të përkohshme të humbjes së vetëdijes, të cilat janë lehtësisht të trajtueshme dhe shkaktohen nga një mosfunksionim neurologjik. Sipas tij, kjo gjendje ka sjellë edhe rrëzimet ndaj Leipzigut dhe Heidenheimit.
“Jam diagnostikuar me episode të shkurtra, të përkohshme, por lehtësisht të trajtueshme të mungesës së vetëdijes, të shkaktuara nga një mosfunksionim neurologjik. Këto mund të shkaktojnë episodet që kanë ndodhur së fundmi, si ndaj Leipzigut dhe tani në Heidenheim”.
Futbollisti i Bayern Munichut theksoi se po ndjek trajtimin e nevojshëm dhe se mbetet optimist për përmirësimin e gjendjes së tij.
“E di se në shikim të parë mund të duken të frikshme, por për mua, aktualisht, ato janë pjesë e përditshmërisë. Po marr trajtimin më të mirë të mundshëm mjekësor për këtë dhe jam shumë optimist. Bayerni dhe njerëzit e mi të afërt janë gjithmonë pranë meje dhe më mbështesin në këtë rrugëtim”.
Musiala sqaroi gjithashtu se, sipas vlerësimeve të mjekëve, nuk ekziston ndonjë rrezik tjetër për shëndetin e tij. Ai tha se, pas konsultimeve të vazhdueshme me specialistët neurologjikë, ka vendosur të vazhdojë jetën e përditshme dhe të merret me futbollin, me miratimin e tyre.
“E rëndësishmja është se nuk ka ndonjë rrezik tjetër për shëndetin. Në konsultim të ngushtë dhe komunikim të rregullt me specialistët, ishte dëshira ime personale ta përballoj këtë sfidë dhe, me miratimin e specialistëve neurologjikë, të vazhdoj të fokusohem në atë që më ndihmon më shumë në rikuperimin tim: thjesht të jetoj jetën time të përditshme dhe të vazhdoj të ndjek pasionin tim për të luajtur futboll.”
23-vjeçari nënvizoi se vendimi për ta vijuar këtë rrugëtim e ka marrë vetë dhe se ndihet pozitiv për ecurinë e rikuperimit.
“Në përgjithësi, kam një ndjenjë shumë të mirë dhe besoj se jam në rrugën e duhur.”
Ai shtoi se motivimi kryesor për të mbetur i fokusuar është dëshira për të fituar trofe me ekipin, ndërsa kërkoi që çështja e tij të trajtohet me privatësi.
“Ajo që më ndihmon më së shumti në këtë rrugëtim është të vazhdoj të luftoj për fitore dhe trofe me ekipin tim, së bashku me mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme. Shpresoj që kjo t’ju ndihmojë të më kuptoni pak më mirë. Në të njëjtën kohë, kërkoj mirëkuptimin tuaj që këtë çështje dua ta mbaj brenda rrethit tim më të afërt të njerëzve të besuar, klubit dhe specialistëve”, ka përfunduar Musiala.
