Incidenti i ndodhur ditën e djeshme me Kristian Eriksenin në ndeshjen mes Danimarkës dhe Finlandës e vlefshme për “Euro 2020” tronditi gjithë botën e futbollit, por jo vetëm.
Kur jemi thuajse 24 orë pas atij episodi, lajme të mira vijnë për lojtarin i cili ndodhet në spital dhe është në gjendje të qëndrueshme. Mesfushori ka qetësuar gjithë opinionin publik, por më së shumti kombëtaren daneze.
Pas gjithë kësaj situate të krijuar, tek Danimarka kanë dalë në një konferencë për shtyp dhe kanë treguar më shumë rreth gjendjes së lojtarit, ku kanë zbuluar edhe diçka të rëndësishme për tifozët.
Siç tregojnë drejtuesit e kombëtares daneze është vet Eriksen i cili ka komunikuar me pjesën e grupit të lojtarëve të kombëtares duke ju thënë se gjendja e tij është e mirë dhe këtë e ka zbuluar në një video-call me ekipin.
“Si jam? Mendoj se jam më mirë se ju”- këto ishin fjalët e para të mesfushorit të Interit në bisedën me lojtarët sipas asaj që tregon trajneri i Danimarkës.
Këto fjalë ishin “ilaç” për kombëtaren e Danimarkës të cilët janë më të qetë pasi kanë mësuar nga vet lojtari gjendjen e tij.
“Ne pamë fytyrën e tij në ekran dhe ai na tha: Ndihem sikur jam gati të shkoj në stërvitje tani djema. Përveç kësaj ai tha se ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për Kampionatin Europian”- do të përfundonte trajneri i cili tregoi më shumë për situatën kritike që përjetuan të gjithë sportdashësit.