Iu anulluan dy finale Championsi radhazi, Stambolli organizon Superkupën e Evropës (FOTO LAJM)

Stambolli për të dytin vit me rradhë për shkak të virusit korona e ka humbur organizimin e finales në Ligën e Kampionëve, pas triumfit të Chelsit në Porto dhe si kompensim këtë vit qyteti turk i Bosforit do të organizojë Superkupën Europiane në mes Chelsit dhe Vilarealit spanjoll, ndërsa në vitin 2023 do ta fitojë organizimin e finales në Ligën e Kampionëve.

UEFA ende nuk e ka zyrtarizuar këtë, por e ka paralajmëruar ministri turk i sportit dhe të rinjve, Mehmet Kasapoglu.

“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e finales së sivjetshmë të Ligës së Kampionëve, me entuziazëm jemi përgatitur që ketë edhe tifozë, por thjeshtë pandemia na ka penguar dhe nuk ka pasur kushte për diçka të tillë. Nuk patëm fat këtë vit dhe për këtë arsye kemi sjellë dy finale të mëdha në vendin tonë, së pari Supërkupën këtë vit dhe pastaj finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2023”, theksoi Kasapoglu.

Kjo do të thotë se sipas planit të parë, Mynihu nuk do të jetë organizator i finales në vitin 2023, ndërsa qyteti gjerman do të fitojë organizimin në një vit tjetër, derisa Belfasti këtë vit edhe pse u përzgjodh do të duhet ta humbasë organizimin e Superkupës.


Shtuar 31.05.2021 11:26