Italia vendos të heqë përgjithmonë numrin 88 nga fanellat e futbollistëve, kjo është arsyeja

Numri 88 simbolizon shkronjën ‘H’, shkronja e 8-të e alfabetit që u përdor nga nazistët si një përshëndetje për të nderuar Adolf Hitlerin.

Mario Pasaliç nuk mund të veshë më fanellën me numër 88 tek Atalanta dhe Xhixhi Bufon nuk do kishte mundësi të zbriste në fushë me numrin që mbante dikur te Parma. Ministri i Brendshëm i Italisë, Mateo Piantedozi, ka vendosur që sezonin e ri të ndalohet numri 88 në fanellat e futbollistëve. Një vendim që vjen në vazhdën e luftës kundër antisemitizmit.

Numri 88 në fakt është përdorur nga grupet neonaziste për himnizimin e Adolf Hitlerit (H është shkonja e 8-të e alfabetit dhe 88 ka vlerën e HH, shkurtimi i “Heil Hitler”: përshëndetja naziste). Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me drejtuesit e futbollit, vendosi ta heqë 88-ën nga Seria A.

Sezonin e fundit këtë numër në fanellë e mbanin Pasaliç i Atalantës dhe Toma Basiç i Lacios. Më parë e kanë mbajtur edhe Mateusz Praszelik, Bufon dhe Marko Borielo.


Shtuar 27.06.2023 23:27