Inzaghi tenton të sigurtët, piketohen Lazzari dhe Balde

Pas prezantimit zyrtar në pankinën e Interit, Simone Inzaghi dhe ndihmësit e tij kanë zbritur në fushë për të drejtuar përgatitjet e skuadrës, ndonëse grupi është ende i cunguar, pasi mungojnë futbollistët e angazhuar në Europian e Copa America.

Ish trajneri i Lazios po vlerëson organikën që ka në dispozicion, për të hartuar më pas edhe kërkesat për njerëzit e merkatos, por paraprakisht është e qartë nevoja për afrimin e një mesfushori për krahun e djathtë dhe të një sulmuesi.

Ndonëse në media kanë dalë emra të shumtë, duket se vetë Inzaghi shtyn për më të sigurtën, pasi ka vënë si prioritet dy futbollistë me të cilët ka punuar edhe më herët te Lazio, ose konkretisht anësorin Manuel Lazzari dhe sulmuesin Keita Balde.

I pari pritet të largohet nga Lazio, pasi me skemën 4-3-3 të Sarrit dhe afrimin e Hysajt për krahun e djathtë të mbrojtjes, vështirë se do të gjejë hapësira, por problem mbeten negociatat me drejtuesit e klubit kryeqytetas, që synojnë të arkëtojnë të paktën 22 milionë euro për kartonin e Lazzarit.

Nga ana tjetër edhe Keita është një njohje e vjetër e Inzaghit dhe pikërisht me të në pankinë shkëlqeu e ka bërë sezonin më të mirë në karrierë, por senegalezi njeh mirë edhe ambientin zikaltër, pasi ka luajtur një sezon në huazim, kur trajner ishte Spalletti.

Inter ka nevojë për një sulmues të katërt, që të jetë i aftë të përshtatet si në krah të Lukakut, ashtu edhe të Lautaros e Sanchezit, dhe Keita duket se ka karakteristikat e duhura për të bërë këtë rol. Për më tepër senegalezi në pronësi të Monacos, ka një çmim lehtësisht të përballueshëm, pasi kushton vetëm 8 milionë euro.


Shtuar 11.07.2021 09:44

Tags: ,