Inzaghi: Dua një Inter akoma më të fortë, shumë shpejt vjen rinovimi

I pranishëm në Piacenza, në qytetin e tij të lindjes, për të marrë një çmim pas titullit të fituar me Interin, Simone Inzaghi u ndal tek e ardhmja e tij:

“Na kanë mbetur edhe dy ndeshje, më pas do të takohemi me klubin për rinovimin. Fitimi i titullit pesë ndeshje para përfundimit të kampionatit ishte diçka e mrekullueshme, tifozët na bënë një nderim të mrekullueshëm. Rruga jonë do të jetë e vështirë të përsëritet, por ne të gjithë duam që gjërat të vazhdojnë në një drejtim pozitiv”.

Inzaghi është krenar për atë që ka arritur te zikaltërit: “Tre vjet më parë, kur erdha, të mendoja për të fituar gjashtë trofe dhe një finale të Ligës së Kampionëve ishte diçka e vështirë për t’u imagjinuar. Por kisha shumë shpresa, e dija se do të gjeja një klub të fortë me drejtues shumë të zotë, pavarësisht vështirësive, e dija që ata do të ndërtonin një ekip konkurrues, së bashku bëmë gjëra të rëndësishme, e gjithë kjo do të mbetet në kujtesën time përgjithmonë”.

Më pas i ngacmuar për rifinancimin e klubit zikaltër (ka një negociatë në vazhdim me Pimco), Inzaghi u përgjigj kështu: “Duhet të jem i sinqertë, ne kemi qenë gjithmonë të qetë. Presidenti Zhang nuk ka lënë kurrë të na mungojë asgjë. Këtë vit nuk ka qenë i pranishëm, por kemi biseduar çdo javë. Ai gjithmonë ka ndihmuar, unë kurrë nuk kam pasur ndonjë problem me të.”


Shtuar 14.05.2024 17:54