Interi u mposht në “Meazza”, Inzaghi: Luajtëm si të barabartë ndaj Liverpoolit

Interi u mposht me dy gola në “San Siro” nga Liverpool dhe pas ndeshjes trajneri Simone Inzaghi u shpreh: “Jam i kënaqur dhe krenar. Bëmë një ndeshje të madhe, por nuk u shpërblyem me një gol, që e meritonim.

Ata shënuan një gol në rastin e parë që krijuan. I përgëzova të gjithë për paraqitjen, më vjen keq për rezultatin sepse meritonim më shumë. Mendoj se Liverpool është një nga skuadrat më të mira të Europës, por Interi im luajti si i barabartë”.

“Kjo ndeshje duhet të na rrisë vetëbesimin, duhet të shërbejë si një pikë nisjeje. Gjatë këtij sezoni kemi luajtur shumë ndeshje të mira, por asnjëherë përballë një kundërshtari si Liverpool”, tha Inzaghi për “Amazon Prime Video”.

Më tej ai shtoi: “Na mungoi goli. Në pjesën e parë goditëm traversën me Calhanoglu dhe tek goditja e Dumfries ishim të pafat. Jam krenar, sepse ishte ndeshja jonë më e mirë e sezonit. Tani të lëmë mënjanë Championsin, të mendojmë për kampionatin dhe më pas për Kupën e Italisë”.


Shtuar 17.02.2022 10:25