Mehdi Taremi, futbollisti i kombëtares së Iranit, bëri të ditura detaje nga biseda që skuadra e tij zhvilloi me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, pasi delegacioni iranian u përball me vështirësi lidhur me vizat.
Sulmuesi iranian tregoi se lojtarët e pyetën kreun e FIFA-s për arsyen pse disa zyrtarë të përfaqësueses së tyre nuk po lejoheshin të hynin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të lidhura
None found
Interesi i gazetarëve u përqendrua te fjalët e Infantinos, ndërsa më pas u bë publik edhe një incizim i fjalimit të tij.
“E di çfarë po kalon. E kuptoj. Por ti je më i fortë se çdo gjë. E ke bashkuar të gjithë botën, faleminderit. Dhe në këto dy ndeshje që të kanë mbetur, do ta bësh të gjithë botën krenare për atë që po bën. Dhe nëse trajneri ka nevojë për një sulmues, unë do të vij në ndeshjen tjetër për të luajtur me ty”.
“Ai thjesht do të na ndihmojë”, deklaroi Taremi, duke përcjellë mesazhin që ekipi mori nga njeriu i parë i futbollit botëror. “Tani është fillimi i Kupës së Botës dhe ai do të na ndihmojë. Ne i besojmë gjithçkaje që ai thotë”, shtoi sulmuesi iranian.
Sipas të dhënave në dispozicion, Infantino i bëri me dije kombëtares iraniane në dhomën e zhveshjes se do të angazhohej maksimalisht që më shumë zyrtarë iranianë, të cilëve më herët u ishte refuzuar viza, të udhëtonin drejt SHBA-së dhe të ishin të pranishëm në ndeshjet e mbetura të fazës së grupeve të turneut.
E gjithë kjo po ndodh në një periudhë tensionesh të rritura politike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.
Situata mori edhe më shumë vëmendje pas deklaratës së Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili fundjavën e kaluar tha se marrëveshja për t’i dhënë fund luftës me Iranin “është rënë dakord dhe nënshkruar plotësisht”.
Sipas njoftimeve, ceremonia zyrtare për nënshkrimin e marrëveshjes pritet të zhvillohet të premten në Zvicër.
