Mbrojtësi i Kosovës, Ilir Krasniqi, ka qenë një prej futbollistëve më të spikatur të Dardanëve në katër sfidat e para të Ligës së Kombeve. Ai i ka zhvilluar të gjitha 360 minutat kundër Austrisë, Irlandës dhe Izraelit, ndërsa në një intervistë për Telegrafin ka folur për paraqitjet e tij, statistikat e UEFA-s, partneritetin me Lumbardh Dellovën dhe objektivat e ekipit për ndeshjet e nëntorit.
Të lidhura
None found
Krasniqi ka qenë titullar në të dyja përballjet me Austrinë, si dhe në takimet ndaj Irlandës e Izraelit, duke u shndërruar në një element të rëndësishëm të mbrojtjes së Kosovës.
Paraqitjet e tij janë pasqyruar edhe në statistikat e Ligës së Kombeve. Bashkë me Lumbardh Dellovën, ai renditet ndër lojtarët që kanë rikuperuar më së shumti topa, ndërsa gjendet edhe në pesëshen e parë të garës për numrin e ndërhyrjeve rrëshqitëse.
Duke vlerësuar katër ndeshjet e para të këtij cikli, mbrojtësi kosovar pranoi se përballjet kanë qenë të vështira, por theksoi se Kosova ka dhënë një paraqitje të mirë në përgjithësi.
“Po, padyshim që kanë qenë katër ndeshje mjaft të vështira, me një intensitet shumë të mirë. Mendoj se kemi bërë mirë në këto katër ndeshje, duke parë edhe rrjedhën e tyre dhe kundërshtarët me të cilët jemi përballur”, ka thënë fillimisht Krasniqi për Telegrafin.
Ai u shpreh i kënaqur edhe me faktin se ka qenë në fushë gjatë çdo minute të këtyre takimeve, duke nënvizuar se kjo i ka ndihmuar edhe në paraqitjet personale.
“Po, këto ndeshje i kam shijuar çdo minutë të të qenurit në fushë. Mendoj se kjo ka ndikuar pozitivisht edhe në paraqitjet e mia dhe jam mjaft i lumtur që kam mundur të jap ndihmën dhe kontributin tim për ekipin, në mënyrë që të kemi paraqitje sa më pozitive”.
Krasniqi foli gjithashtu për renditjen e tij në statistikat e UEFA-s dhe për bashkëpunimin me Dellovën. Sipas tij, ndeshjet e përbashkëta kanë ndikuar në forcimin e mirëkuptimit mes dy mbrojtësve.
“Po, është e vërtetë. Janë momente mjaft domethënëse dhe jam shumë i lumtur për këtë. Besoj se ka ndikuar edhe fakti që kemi pasur disa ndeshje të zhvilluara së bashku. Dellova është një lojtar me shumë cilësi dhe kjo e bën më të lehtë bashkëpunimin tonë në fushë”, shtoi 26-vjeçari.
I pyetur për numrin e lartë të ndërhyrjeve rrëshqitëse, 26-vjeçari e lidhi këtë element me stilin e tij personal dhe me mënyrën e lojës së Kosovës.
“Po, besoj se është pak edhe stil personal, sidomos sa i përket leximit të lojës. Gjithashtu, mënyra se si kemi luajtur me Kosovën e ka bërë këtë edhe më të dukshme në fushë”.
Për dy ndeshjet e fundit të nëntorit, kundër Izraelit dhe Irlandës, Krasniqi pret sfida të komplikuara. Megjithatë, ai beson se uniteti i grupit dhe prania e tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri” mund t’i japin Kosovës një avantazh të rëndësishëm.
“Na presin ndeshje mjaft të vështira. Duke parë që kemi luajtur më herët me këto ekipe, e kemi parë forcën e tyre dhe e dimë se çfarë na pret. Besoj se, si gjithmonë, fryma e grupit që kemi është shumë e mirë dhe duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin në fushë dhe të japim maksimumin. Kështu jemi shumë të fortë si ekip. Fakti që do të luajmë në shtëpi do të jetë një forcë dhe mbështetje e madhe nga tifozët tanë”.
Sa i përket objektivit, mbrojtësi i Kosovës bëri të qartë se synimi është grumbullimi i pikëve të plota në dy takimet e ardhshme. Dardanët aktualisht kanë pesë pikë.
“Po, duke parë që i kemi këto pesë pikë, deri në nëntor do të jemi të përgatitur për të luftuar në maksimum dhe për të synuar pikët e plota. Sigurisht, si pjesë e këtij grupi, besoj shumë te ky ekip i bashkuar dhe te potenciali që kemi. Do të luftojmë të gjithë së bashku për dy fitore, për maksimumin e mundshëm dhe për ta arritur objektivin tonë”, përfundoi mbrojtësi i Kosovës.
Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e raundit të pestë kundër Izraelit më 14 nëntor, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Përballja e fundit në grup, ndaj Irlandës, është planifikuar për 17 nëntor në stadiumin “Aviva” të Dublinit.
