Për herë të parë në histori, një katërshe arbitrash shqiptarë do të gjykojnë një ndeshje të fazës së grupeve në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, Champions League.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se arbitrat Enea Jorgji, kryesor, asistentët Denis Rexha e Ridiger Çokaj, si edhe Florian Lata si arbitër i katërt, do të drejtojnë ndeshjen e Grupit G, Young Boys-Leipzig, që do të luhet më 19 shtator në Zvicër.
Enea Jorgji është promovuar nga Komiteti i Arbitrave në UEFA në kategorinë e parë, ndërsa me paraqitjet e tij në Europë, synon që shumë shpejt të arrijë në kategorinë më të lartë të arbitrimit “Elite”, që në fakt është edhe objektivi për të gjithë ata që fillojnë profesionin e arbitrit.
Në të kaluarën arbitrat shqiptare kanë drejtuar ndeshje ndërkombëtare të niveleve eliminatore apo edhe miqësore ndërkombëtare të rëndësishme, por jo ndeshje të fazës së grupeve të UEFA Champions League.