HISTORIA/ Momenti kurorëzues për Roberto Mancinin, njeriun e rilindjes së Italisë

Roberto Mancini shënoi momentin kurorëzues të karrierës së tij të dielën mbrëma, duke fituar trofeun e Kampionatit Evropian me një skuadër të transformuar të Italisë. Italia ka ndryshuar shumë krahasuar me ditët e errëta të fiaskos kualifikuese për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, turne në të cilin nuk arriti të kualifikohet.

Italianët, kampionët e katërfishtë të Botës, e mundën Anglinë me rezultatin 3:2 pas penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan 1:1 në stadiumin “Wembley”. Italia u shpall për herën e dytë fituese në Kampionatin Evropian. Për herë të parë suksesin kontinental e arriti në vitin 1968.

“Jam i kënaqur dhe i lumtur për publikun italian, sepse me të vërtetë e meritojnë këtë pas një periudhe të vështirë që e kanë kaluar. Ky është gëzim i madh për ne”, tha Mancini.

Ishte trofeu i tij i 14-të si trajner dhe i pari me Italinë pas dështimit si lojtar midis vitit 1984 dhe 1994.

“Unë isha me shumë fat që luaja në një ekip të shkëlqyeshëm në vitin 1990 dhe me fat që luaja në një ekip të mrekullueshëm deri 21 vjet në vitin 1988. Por pavarësisht faktit që ishim ekipi më i mirë ne nuk fituam dhe humbëm dy herë në penallti”, kujtoi Mancini.

Në maj të vitit 2018, të paktë ishin ata që nxitonin për ta marrë detyrën e përzgjedhësit nga Gian Piero Ventura, pasi Italia nuk arriti të kualifikohej në një Kampionat Botëror për herë të parë në 60 vjet. Zgjedhja e parë e Federatës së Futbollit të Italisë, Carlo Ancelotti u tërhoq me mirësjellje para se Roberto Mancini, atëherë trajner i skuadrës së Zenitit të pranonte ofertën për punën e ëndrrës së tij. Mancini ishte trajner për 17 vjet, duke fituar trofe me Fiorentinan, Lazion, Interin, Manchester Cityn dhe Galatasarayn. Por, karriera si trajner duket se e humbi paksa shkëlqimin kur Mancini u largua nga City në vitin 2013, para se posti i përzgjedhësit të Italisë të ishte i lirë.

Detyra e tij e parë te Italia ishte të rivendoste besimin në një ekip të demoralizuar.

“Në fillim kur ai tha se duhet të mendonim për të fituar Kampionatin Evropian, edhe ne menduam se ai ishte i çmendur”, tha kapiteni i Italisë, Giorgio Chiellini.

Mbrojtësi 36-vjeçar ishte në stadiumin “San Siro” në Milano në nëntor të vitit 2017 kur Italia humbi ndeshjen e plejofit për Kampionatin Botëror nga Suedia.

“Por është një ëndërr që ai nguliti ngadalë në kokat tona derisa u bë realitet”, tha Chiellini.

Fitorja pason tre vjet rindërtim, të kryera me mbështetjen e shumë ish-shokëve të tij të skuadrës së Sampdorias, përfshirë ish-trajnerin e Chelseat, Gianluca Vialli. Italia me pamje të re ishte pa yje të mëdha në Evropian dhe pjesa më e madhe e përvojës ndërkombëtare përqendrohej kryesisht te Chiellini dhe mbrojtësi tjetër i Juventusit, Leonardo Bonucci.

“Ai punoi në kokë, duke na kthyer besimin, entuziazmin, vetëvlerësimin tonë”, shtoi Bonucci. “Ai është një njeri me pak fjalë, por ai krijoi një grup të shkëlqyeshëm dhe ringjalli një ekip që ishte në nivelin më të ulët në 60 vjetët e fundit. Me një qetësi të madhe, ai përcjell qetësi dhe besim te ne”.

Statistikat e Italisë nën Mancinin kanë qenë mbresëlënëse. Vetëm dy humbje në 39 ndeshje dhe një seri prej 34 ndeshjeve pa humbje që daton prej shtatorit të vitit 2018. Gjatë “Euro 2020”, ai theu rekordin kombëtar të 30 ndeshjeve pa humbje të vendosur nga ish-trajneri, fituesi i Kupës së Botës, Vittorio Pozzo. Dhe tani Mancini është vetëm një ndeshje larg për ta barazuar rekordin e Spanjës dhe Brazilit prej 35 ndeshjeve pa humbje. Para këtij Evropiani të patëmetë, Italia kishte shijuar një garë perfekte kualifikuese me dhjetë fitore në po aq ndeshje dhe siguroi një vend në mesin e katër ekipeve më të mira të Ligës së Kombeve, që do të luhet në muajin tetor të këtij viti në Milano dhe Torino. Italia gjithashtu fitoi tri ndeshjet e para të kampanjës së saj eliminatore për Botërorin “Katari 2022”. Por përtej rezultateve, ish-sulmuesi i Sampdorias dhe Lazios, Mancini ka ndërtuar një ekip modern me një markë tërheqëse të futbollit.

Një mesfushë solide me Marco Verrattin, Jorginhon dhe Nicolo Barellan rezultoi vendimtare për fitoren, ndërsa u qëndroi besnik bazave mbrojtëse të Italisë. Ai u ka hapur derën lojtarëve, me 77 të thirrur në tri vjet dhe 35 prej tyre u ka mundësuar debutimin. Nicolo Zaniolo mori thirrjen e tij të parë në shtator të vitit 2018 në moshën 19-vjeçare para se të kishte bërë debutimin në kampionat me klubin e Romës. Barella 24-vjeçar dhe 23-vjeçari Federico Chiesa, ishin ndër arkitektët e kurorëzimit të Italisë në Evropian, me zgjedhjen e Manuel Locatellit (23) dhe Matteo Pessinas (24), gjithashtu që dhanë kontributin e tyre.

“Ndihem shumë krenar, sepse nuk ishte një situatë e mirë kur mbërrita. Të gjithë thanë se Italia nuk kishte lojtarë me cilësi të mirë”, tha Mancini.

Rënia kishte ndjekur fitoren e Italisë në Botërorin e vitit 2006, me eliminimin në fazën e grupeve në edicionet 2010 dhe 2014, pavarësisht arritjes në finalen e “Euro 2012” dhe çerekfinale të “Euro 2016”.

Për legjendën e Italisë, Luigi Rivan, triumfi në “Euro 2020” është fitorja e Mancinit.

“Mancini i ka dhënë ekipit një lojë të re, moderne, ka vënë vulën e tij”, tha golashënuesi kryesor i Italisë, me 35 gola në 42 paraqitje. “Është ekipi kombëtar i tij”.

Mancini tani ka shumë kohë për të vazhduar formësimin e skuadrës së tij me Kampionatin Botëror që mbahet vitin e ardhshëm në Katar. Kontrata iu rinovua para fillimit të Kampionatit Evropian deri në vitin 2026.


Shtuar 12.07.2021 21:24