Një histori e mahnitshme vjen nga ligat e ulëta gjermane të futbollit, me 29 vjeçarin Stanley Ratifo.
Ai luan si sulmues për ekipin e ligës së pestë Pforzheim dhe për shkak të origjinës së prindërve të tij, do të luajë për kombëtaren e Mozambikut në Kupën e Kombeve të Afrikës që do të mbahet në Bregun e Fildishtë.
Në turneun më të madh të futbollit afrikan, ku Senegali do të mbrojë kampionatin, Ratifo, i cili zakonisht luan para disa qindra njerëzve, do të luajë kundër disa prej yjeve më të mëdhenj të botës.
Ratifo ka lindur në qytetin gjerman të Halle, afër Lajpcigut, dhe e kaloi të gjithë karrierën e tij në ligat e ulëta gjermane dhe për një kohë ishte anëtar i ekipit të dytë të Kolnit.
“Është e vështirë të shprehet me fjalë. Fakti që unë mund të marr pjesë edhe në Kupën e Afrikës tani është një bekim nga Zoti”, ka thënë Ratifo.
Kombëtarja e tij do të luajë në Grupin B kundër nënkampionëve aktualë Egjiptit, Ganës dhe Cape Verde.
Ai do të luajë kundër Mohamed Salah në ndeshjen mes Mozambikut dhe Egjiptit. /Telegrafi/