Harry Kane ndërron mendje dhe refuzon Man City-n: Do të qëndroj te Tottenham

Jemi vetëm pak larg mbylljes së merkatos verore, dhe siduket një tjetër emër i rëndësishëm i cili pritej të ndryshonte skuadër ka marrë vendimin përfundimtar duke i befasuar të gjithë.

Fjala është për Harry Kane, i cili ka refuzuar së fundmi Man City-n dhe është shprehur se do të qëndrojë te Tottenham.

Lajmin e bëri të ditur vetë sulmuesi në rrjetet sociale, ku shkroi se do të qëndrojë te “Spurs”-at edhe këtë sezon dhe se është maksimalisht i përqendruar të ndihmojë skuadrën në arritjen e objektivave sezonalë.

“Ka qenë diçka e pabesueshme të shihja pritjen që më rezervuan tifozët e Spurs-ave të dielën dhe mesazhet e shumta mbështetëse që kam marrë gjatë këtyre javëve. Do të qëndroj te Tottenhami dhe do të jem 100% i fokusuar për të ndihmuar ekipin në arritjen e sukseseve”, shkroi Kane.

Sulmuesi dhe kapiteni i përfaqësueses angleze ishte përgatitur për t’u larguar nga Londra këtë verë dhe në fund të sezonit të kaluar u përshëndet edhe me tifozët e Tottenhamit në stadium, megjithatë ëndrra e tij nuk u bë realitet.

Manchester City provoi deri në fund për ta transferuar në “Etihad Stadium”, por ndonëse u tregua e gatshme të paguajë deri në 145 milionë euro për kartonin e tij, hasi në rezistencën e drejtuesve të Tottenham, të cilët vendosën të mbajnë edhe për një sezon kapitenin.

Harry Kane ka nisur prej javësh përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Nuno Espirito Santo dhe fundjavën e kaluar zbriti në fushë për disa minuta në transfertën ndaj Wolverhampton, të cilin Tottenhami e fitoi me rezultatin minimal 0-1.


Shtuar 25.08.2021 16:11