Kapiteni i Romës, Lorenzo Pellegrini vendosi të mos udhëtojë me skuadrën drejt Gjenovës për përballjen me Sampdorian, për t’i qëndruar pranë bashkëshortes, e cila solli në jetë edhe djalin e dytë të çiftit.
Megjithatë humbja e verdhekuqve në transfertën doriane ka bërë që tifozët të reagojnë ashpër në rrjetet sociale dhe shumë prej tyre kërkuan që Pellegrini të dorëzojë shiritin e kapitenit, pasi nuk u pajtuan me vendimin e tij që të mos udhëtojë me skuadrën.
Lumi i komenteve të tifozëve erdhi edhe në postimin e Pellegrinit në Instagram, ku përveç urimit, i kërkohej që tashmë t’ia rikthejë shiritin e kapitenit boshnjakut Dzeko, apo mbrojtësit italian Gianluca Mancini.
Lorenzo Pellegrini mori shiritin e kapitenit të Romës në fillim të këtij viti, pas një zënke mes trajnerit Fonseca dhe sulmuesit boshnjak Edin Dzeko dhe shihet si një nga shtyllat për ndërtimin e të ardhmes së verdhekuqve, teksa tani mbetet për t’u parë efekti që do të ketë krisja me tifozërinë.