Elbasani e nisi kampionatin në “Abissnet Superiore” me një barazim 1-1 ndaj Laçit. Pas përfundimit të takimit, trajneri i verdhebluve, Ivan Gvozdenovic, analizoi paraqitjen e skuadrës dhe foli për rezultatet, temperaturat e larta dhe afrimet e reja.
Të lidhura
None found
“Në dhjetë minutat e fundit ndoshta ishim më konkretë. Kushtet e motit ishin të vështira edhe për Laçin, edhe për ne. Lodhja u ndje, ndërsa patëm edhe problemin me Gjinin. Pas golit jam pak i mërzitur, sepse krijuam raste që mund t’i kishim shfrytëzuar”, u shpreh Gvozdenovic.
Trajneri serb vlerësoi kundërshtarin, por pranoi se skuadra e tij synonte më shumë se një pikë.
“Laçi është një kundërshtar i fortë. Nuk jam i kënaqur me një pikë, por nuk mund të them se jam i mërzitur”, tha ai.
Duke folur për ndryshimin e ritmit të lojës dhe zëvendësimet, Gvozdenovic tha se Elbasani pati vështirësi në pjesën e parë për shkak të organizimit mbrojtës të Laçit.
“Aksioni i Mazarios dhe Nikajt në krahun e majtë ishte një nga momentet tona. Për pjesën e parë ke të drejtë, pasi në fazën sulmuese ishim disi statikë. Kjo nuk ndodhi sepse nuk qarkulluam topin, por sepse Laçi ishte vendosur mirë në mbrojtje dhe na e vështirësoi lojën. Nuk jemi shumë të mërzitur, por sigurisht që as të kënaqur”, deklaroi trajneri.
Sa i përket tetë afrimeve të bëra gjatë merkatos dhe vështirësive për t’i integruar në ekip, ai kërkoi kohë.
“Nuk dua të flas shumë për këtë, sepse nëse filloj të flas mund të bëhet alibi. Ishte ndeshja jonë e parë zyrtare dhe është e vështirë. Kemi nevojë për kohë. Kemi lojtarë të mirë dhe nga java në javë do të përmirësohemi”, u shpreh Gvozdenovic.
I pyetur nëse ishte i zhgënjyer që Elbasani nuk mori tri pikët, trajneri pranoi se skuadra kishte qenë pranë fitores.
“Po, kemi mbetur të mërzitur. Ishim afër fitimit të ndeshjes, ndaj jemi shumë të zhgënjyer. Ky është futbolli”, tha ai.
Në lidhje me investimet e klubit dhe largimin e disa lojtarëve pasi arrihet objektivi, Gvozdenovic u shpreh se kjo nuk ishte një çështje për të cilën mund të përgjigjej ai.
“Do të provojmë të flasim si politikanët? Kjo nuk është pyetje për mua. Asnjë trajner nuk është i kënaqur kur lojtarët i largohen ekipit. Kemi nevojë për shumë kohë”, përfundoi Gvozdenovic.
