Guardiola: Baggio është lojtari mëi madh me të cilin kam luajtur

Pep Guardiola ishte i pranishëm në Kuneo për eventin ‘Dialog mbi talentin’, i realizuar nga ‘Fondazione CRC’, në bashkëpunim me disa fondacione të tjera.

Trajneri i njohur spanjoll ka folur mes të tjerash edhe për kontaktin e shumëpërfolur nga Juventusi në 2019-ën, duke qartësuar gjithçka.

“Jo, nuk më ka kërkuar kurrë Juventusi. A do të drejtoja në Itali? Do të më pëlqente shumë, ka ushqim shumë të mirë dhe vij shpesh për pushime. Kohët e fundit nuk e kam ndjekur shumë futbollin italian, por jam i sigurt ka talent, talenti është kudo. Roberto Baggio është lojtari më i madh, me të cilin kam luajtur”, u shpreh Guardiola.

Katalanasi shtoi më tej se ka ende shumë për të dhënë si trajner: “Ende nuk e ndjej lodhjen e viteve të shumta në futboll. Nëse do të ndodhë, do t’ju telefonoj… Herët a vonë do të ndodhë, do të vijë momenti që do të them mjaft”.

Guardiola foli edhe për taktikën në futbollin modern: “Shërben për të ndihmuar lojtarët të shprehen më mirë, nuk ndahet nga teknika. Taktika është një mënyrë për të kuptuar se shkojmë të gjithë në të njëjtin drejtim, nuk është diçka estetike, është në shërbim të lojtarëve”.


Shtuar 9.10.2023 23:50