Grezda nuk është më pjesë e Osijek, mbetet pa ekip

Eros Grezda është aktualisht një futbollist i lirë duke qenë se klubi kroat i Osijek ka vendosur të mbyllë marrëveshjen me futbollistin shqiptar.

Edhe pse palët kishin një kontratë të vlefshme deri në janarin e vitit 2023, drejtuesit e Osijek të pakënaqur nga forma e 26-vjeçarit vendosën ta përshpejtonin këtë afat.

Kujtojmë se gjakovari prej verës së kaluar ishte bërë pjesë e kampionatit elitar në Hungari, ku aktivizohej si i huazuar në radhët e skuadrës së Zalaegerszeg. Megjithatë, edhe në këtë ekip, Grezda nuk ia doli të linte gjurmë duke u aktivizuar në pesë ndeshje, ndërsa shënoi vetëm një gol.

Mbetet për t’u parë tashmë si do të vijojë karriera e sulmuesit, i cili në karrierën e tij numëron edhe 12 paraqitje me fanellën e kombëtares ndërsa ka realizuar një herë në miqësoren e vitit 2017 ndaj Turqisë të fituar nga kuqezinjtë me rezultatin 2-3.


Shtuar 15.02.2022 17:32

Tags: ,