Grabitet shtëpia e lojtarit të Man United, fëmijët dhe gruaja ndodheshin në shtëpi (FOTO LAJM)

Gruaja dhe fëmijët e yllit të Manchester United, Victor Lindelof mbetën të tmerruar pasi hajdutët bastisën shtëpinë e tyre ndërsa ai po luante kundër Brentford.

Bashkëshortja e mbrojtësit, Maja Lindelof ka postuar në Instagramin e saj lajmin traumatik të së mërkurës mbrëma.

Ajo dhe dy fëmijët e saj të vegjël u detyruan të fshiheshin dhe të mbylleshin në një dhomë ndërsa banditë bastisnin shtëpinë e tyre në Manchester.

Qendërmbrojtësi i Manchester United, po luante në Brentford në atë kohë, duke ndihmuar skuadrën të fitonte 3-1.

Maja shkroi në rrjetet sociale: “Gjatë ndeshjes së Victor-it këtë të mërkurë mbrëma, ne patëm një bastisje në shtëpinë tonë në Manchester.

Isha vetëm në shtëpi me të dy fëmijët, por arritëm të fshiheshim dhe të mbylleshim në një dhomë përpara se ata të hynin në shtëpinë tonë”.

Ajo tha se ajo dhe fëmijët e saj ishin të traumatizuar nga “momenti i frikshëm” dhe familja tani po kalon kohë jashtë në Suedi.

Maja, e cila u martua me futbollistin në vitin 2018, shtoi: “Ne jemi mirë në këto rrethana, por padyshim që ishte një moment shumë traumatik dhe i frikshëm si për mua ashtu edhe për fëmijët e mi të vegjël.

Tani jemi në Suedi dhe po kalojmë pak kohë me familjet tona”.

Mbrojtësi suedez luajti 90 minutat e plota kundër Brentford të mërkurën dhe i ndihmoi ata të fitonin, pasi familja e tij u përball tragjikisht me grabitjen traumatike në shtëpi. Klubi tani po mbështet familjen dhe ka konfirmuar se Lindelof do të lihet jashtë skuadrës për ndeshjen e tyre të ardhshme kundër West Ham.

Tekniku Ralf Rangnick tha: “Kam folur me të gjatë në fluturimin tonë të kthimit në shtëpi nga Londra dhe gjithashtu këtë mëngjes.

Folëm 20 apo 25 minuta, më tha se çfarë ndodhi në të vërtetë, se kjo ishte një ngjarje traumatike, sidomos për gruan dhe djalin e tij tre vjeç. Më tha që tani duhet të rrijë në shtëpi, nuk dëshiron ta lërë vetë gruan dhe familjen, gjë që e kuptoj plotësisht, duke qenë edhe vetë baba i dy fëmijëve.

Deklarata e klubit tha: “Ne mund të konfirmojmë se një grabitje ndodhi në shtëpinë e Victor Lindelof gjatë ndeshjes jashtë vendit kundër Brentford.

Familja e tij, e cila ishte në shtëpi në atë moment, ishte e padëmtuar, por qartësisht e tronditur.

Kjo ishte një përvojë shqetësuese për ta, dhe për Victorin kur mësoi për këtë pas ndeshjes, dhe klubi po u ofron atyre mbështetjen tonë të plotë.

Ne inkurajojmë këdo që ka informacion në lidhje me krimin të kontaktojë policinë.”/ h.ll/albeu.com

Shtuar 21.01.2022 16:56