GP e Arabisë fitohet nga Hamilton, titulli vendoset në Katar

Lufta për titullin kampion në Formula 1 është bërë më dramatike se kurrë, pasi në garën e fundit Max Verstappen dhe Lewis Hamilton do të shkojnë me pikë të barabarta, nga 369.5 secili, por me holandezin që ka fituar një garë më shumë.

Çmimi i madh i Jeddah prodhoi një garë emocionuese dhe shumë të luftuar, teksa në fund ishte Lewis Hamilton ai që triumfoi, duke barazuar me pikë pilotin e Red Bull, duke lënë verdiktin për titullin në garën e fundit në Abu Dabi.

Starti i garës ishte i qetë për disa xhiro, deri kur Mick Schumacher humbi kontrollin e makinës së tij dhe u përplas me murin rrethues, duke bërë që në pistë të futej makina e sigurisë, ndërsa makinat Mercedes nxituan në bokse për të ndërruar gomat dhe i dhanë vendin e parë Verstappenit.

Por pas vetëm pak xhirosh u pa e nevojshme që të shfaqej flamuri i kuq dhe makinat të riktheheshin në bokse, aty ku Verstappen përfitoi për të ndërruar gomat dhe për t’u rinisur nga vendi i parë.

Edhe pas rinisjes nuk munguan incidentet, pasi Verstappen nuk iu përgjigj dot startit perfekt të Hamilton dhe bëri parakalim të gabuar, ndërsa Perez u përplas me Leclerc dhe u shfaq sërish flamuri i kuq.

Makinat u rikthyen sërish në bokse, për t’u rinisur me Ocon të parin, Hamilton të dytin dhe Verstappen të tretin, por ky i fundit bëri një start perfekt, duke marrë menjëherë kryesimin.
Nga ky moment nisi një betejë fantastike mes Verstappen dhe Hamilton, me pilotin e Red Bull që nisi të ankohej edhe për një problem me baterinë, e për pasojë edhe me fuqinë e makinës.

Në xhiron e 28 u aplikua makina virtuale e sigurisë, që zgjati deri në të 33-tën, ndërsa në të 37-ën Hamilton provoi një parakalim, por Verstappen ia doli të rimarrë kryesimin, teksa nuk munguan as kontaktet mes dy makinave.

Në xhiron e 43-të erdhi një vendimi për 5 sekonda penalizim për Verstappen, ndërsa në të njëjtën kohë Hamilton kompletoi parakalimin dhe mori kryesimin e garës, të cilin e mbajti deri në fund, duke ia dalë të triumfojë.

Gara e radhës do të jetë në Abu Dabi dhe pikërisht aty do të vendoset edhe kampioni i Formulës 1 për sezonin 2021, një nga më të luftuarit dhe më dramatikët në histori.

Kjo është fitorja e 103-të në karrierë për Hamilton, që merr suksesin e tretë radhazi dhe të 8-tin sezonal…


Shtuar 5.12.2021 21:28