Anthony Gordon, transferimi i verës te Barcelona, ka rrëfyer për përvojën e tij të parë në klubin spanjoll dhe mënyrën se si po përshtatet me ekipin.
Të lidhura
None found
Futbollisti anglez veçoi veçanërisht mesfushorin Pedri, të cilin e konsideron të jashtëzakonshëm për aftësinë e tij për të lexuar lojën.
“Gjatë gjithë karrierës kam bërë shumë vrapime që nuk janë vënë re nga askush, por tani kam pranë Pedrin, një lojtar që sheh gjithçka në fushë”, deklaroi Gordon.
Sipas anësorit, eksperienca me Newcastle, ku ekipi luante me presion të lartë dhe me një vijë sulmi të avancuar, ia ka lehtësuar kalimin te Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick.
“Nuk e kam pasur të vështirë të përshtatem, pasi te Newcastle përdornim një mënyrë të ngjashme loje, me presion të lartë dhe sulme nga një linjë e avancuar. Edhe në aspektin e lojës me topin është më e lehtë, sepse tani jam mes disa prej futbollistëve më të mirë në botë”.
Gordon përmendi gjithashtu Eric Garcian dhe Dani Olmon si dy lojtarë që e kanë ndihmuar të ndihet më mirë dhe më i integruar në ambientin e Barcelonës.
“Eric Garcia ka qenë shumë i rëndësishëm për mua, sepse flet anglisht në mënyrë të përsosur. Kuptoj pak spanjisht, por kur flasin shpejt ose komunikojnë mes tyre, e kam më të vështirë t’i kuptoj. Edhe Dani Olmo më ka dhënë shumë ndihmë”.
25-vjeçari, i cili ka shfaqur formë të shkëlqyer me kombëtaren, pret që së shpejti të nisë të shënojë rregullisht për klubin e ri.
“E di se mund të jap kontribut edhe me gola. Deri tani nuk kam pasur shumë raste për të shënuar. Në çdo ekip dhe në çdo periudhë të karrierës më është dashur pak kohë përpara se të gjeja vazhdimësinë para portës. Megjithatë, jam i bindur se do të shënoj shumë gola”.
Anglezi theksoi se nuk ndihet i frikësuar nga presioni që sjell aktivizimi te Barcelona.
“Nuk e shoh presionin si diçka reale. Ai krijohet në mendjen tënde. Nëse nuk përqendrohesh te kjo gjë, atëherë presioni nuk ndikon dhe ke mundësi të shfaqësh versionin më të mirë të vetes”.
Sa i përket ekipit më të preferuar të Barcelonës, Gordon përmendi skuadrën e Pep Guardiolës, e cila fitoi Ligën e Kampionëve me futbollistë si Xavi dhe Iniesta.
“Barcelona më e mirë që kam parë ka qenë ajo e Pep Guardiolës, skuadra që fitoi Ligën e Kampionëve me lojtarë si Xavi dhe Iniesta. Shpresoj që edhe kjo skuadër e Flickut të mbetet përgjithmonë në kujtesën e njerëzve”.
