Rei Manaj po përjeton ndoshta periudhën më të suksesshme të karrierës së tij në këto muaj te Sivaspor. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare po shënon me rregullsi të admirueshme duke ndihmuar skuadrën që të qëndrojë larg zonës së ftohtë të renditjes.
Fitorja 3-1 ndaj Kaizerisporit të vendit të katërt në fundjavë erdhi pikërisht falë dy golave në fund të ndeshjes nga sulmuesi shqiptar. Ndaj nuk ishte rastësi që ai mori vlerësime për këtë paraqitje dhe falë statistikave dhe notës së lartë të vendosur nga SOFASCORE, është bërë pjesë e formacionit të javës në kampionat nga portali i njohur për statistikat.
Me notën 9,1 që i është vënë pas paraqitjes së fundit, Manaj rreshtohet në formacionin ideal të javës së 19-të përkrah emrave si Livakoviç, Bardakçi, Szimanski apo Under. /panoramasport/