Gjyqtari italian që bëri skandal në Serie A, pjesë e ekipit të gjyqtarëve për sfidën Real Madrid – Leipzig

Gjyqtari italian Marco Di Bello do të jetë pjesë e ekipit të gjyqtarëve në duelin që Real Madridi do ta zhvillojë ndaj Leipzigut në Ligën e Kampionëve, përkundër suspsendimit të tij të fundit në Serie A.

42-vjeçari prodhoi një ndër shfaqjet më të dobëta të ndarjes së drejtësisë në histori të ligës, në duelin mes Lazios dhe Milanit, duke humbur plotësisht kontrollin e ndeshjes dhe duke dhuruar 11 kartonë të verdhë dhe tre kartonë të kuq.

Di Bello ishte kritikuar gjerësisht nga të gjitha anët në shtypin italian dhe puna e tij e dobët ka bërë që ai të marr një dënim të rëndë në Serie A, duke iu pamundësuar ndarja e drejtësisë për të paktën një muaj.

Ka pasur gjithashtu pretendime se pas rikthimit ai do të jetë në gjendje të ndajë drejtësinë vetëm në ndeshjet e Serie B.

Ashtu siç u njoftua nga UEFA, Di Bello do të jetë pjesë e ekipit të gjyqtarëve në ndeshjen Real Madrid – Leipzig që do të zhvillohet të mërkruën (6 mars), përkundër veprimeve të tij që rezultuan me suspendim në Serie A.

42-vjeçari do të jetë në cilësinë e gjyqtarit të katërt në këtë ndeshje, ndërsa Davide Massa do të jetë gjyqtari kryesor. Stefano Alassio dhe Filippo Meli do të jenë dy ndihmësit e tij, ndërsa Massimiliano Irrati dhe Paolo Valeri do ta kenë fjalën në VAR.

Di Bello tashmë kishte shkaktuar polemika këtë sezon, pasi u suspendua për një muaj në javët e para të sezonit për paraqitjen e tij të dobët në ndeshjen mes Juventusit dhe Bolonjës që ishte luajtur në gusht. /Telegrafi/


Shtuar 4.03.2024 18:28