“Rrogozhinasit” e Egnatia vijojnë të mbeten një nga skuadra më aktive në këtë merkato janarit, teksa pas “rrokadës” në sulm, ku transferuan sulmuesin nga Azerbajxhani, Vusal Isgandarli, drejt turqve të Boluspor dhe afruan në skuadër “bomberin”, Mario Gjata, nga skuadra e Teutës, tashmë kanë filluar të bëjnë ndërhyrje në repartin defensiv.
Mesditën e kësaj të premte, kampionët në fuqi të Kupës së Shqipërisë kanë njoftuar, me anë një postimi, në profilin e tyre zyrtare, në rrjetin social, “Facebook”, afrimin e një qendërmbrojtësit, me këtë të fundit, që ka lidhur një kontratë për 2 vite e gjysmë, me kryesuesit momental të Kategorisë Superiore.
Bëhet fjalë për 24-vjeçarin, me origjinë amerikane, François Dulysse, me këtë të fundit që vjen në Superiore, nga skuadra kaliforniane, Central Valley Fuego FC, skuadër kjo e cila është themeluar në vitin 2020, dhe që militon në kategorinë e tretë, të futbollit, në Shtetet e Bashkuara, USL League One. /abcnews.al