Gentrit Halili kërcënon Dinamo Zagrebin: Ne nuk kemi ardhur këtu për shëtitje, duam tri pikët

Në konferencë për media së bashku me Ilir Dajën në krah ishte edhe mbrojtësi, Gentrit Halili, i cili u tregua optimist para ndeshjes.

Ndeshja mes Dinamo Zagrebit dhe Ballkanit zhvillohet të enjten prej orës 21:00 dhe i takon Grupit C të Ligës së Konferencës.

Halili ka thënë se të gjithë te Ballkani janë të vetëdijshëm se ndeshja me Dinamon do të jetë shumë e vështirë, por shtoi se ekipi nga Suhareka ka udhëtuar për pikët e plota.

“E dimë të gjithë historinë e Dinamos dhe është kënaqësi i madhe të luajmë në këtë stadium”.

“Ne nuk kemi ardhur këtu për shëtitje, por të marrim tri pikët dhe të kemi mundësinë të kualifikohemi në fazën tjetër”, ka thënë Halili.

Ballkani para kësaj ndeshje është e fundit në grup me 4 pikë të mbledhura, dy më pak se Dinamo që renditet e dyta.

Katër pikë i ka edhe Astana që është e treta në tabelë për shkak të goldallimit më të mirë se Ballkani. Viktoria Plzeni ka pesë fitore në po aq ndeshje dhe ka siguruar vendin e parë. /Telegrafi/


Shtuar 13.12.2023 23:08