Kylian Mbappé dhe Erling Haaland, po zhvillojnë një tjetër sezon spektakolar në La Liga dhe Premier League, me nga 13 gola secili, por kjo nuk mjafton për t’i vendosur në krye të garës për “Këpucën e Artë Evropiane”.
Në të njëjtin nivel me ta qëndron edhe një emër i papritur, Klaemint Olsen i skuadrës NSÍ Runavík nga Ishujt Faroe.
Megjithatë, lideri aktual i renditjes është një tjetër dhe vjen nga një kampionat krejtësisht jashtë qendrës së vëmendjes.
Darko Lemajić, sulmues serb i klubit FC RFS në Letoni, ka shënuar plot 28 gola, duke grumbulluar më shumë se dyfishin e pikëve të yjeve si Haaland dhe Mbappé. Me këtë ritëm, ai është në rrugë të mirë për të befasuar Europën dhe për të fituar trofeun prestigjioz.
Karriera e Lemajić, ka kaluar nëpër klube modeste si Indija, Napredak Krusevac, Riga, RFS dhe një eksperiencë të shkurtër me Gent në Belgjikë. Pavarësisht profilit të ulët, 30-vjeçari po shpërthen këtë sezon në mënyrë spektakolare.
Sipas rregullave të “Këpucës së Artë”, golat në pesë ligat më të forta të Europës (Spanjë, Angli, Gjermani, Itali dhe Francë) shumëzohen me koeficientin 2, ndërsa ata të ligave nga vendi i 6-të deri në të 21-tin me 1.5. Të gjitha ligat e tjera, përfshirë atë letoneze, kanë koeficient 1.
Kjo do të thotë se, edhe pse Lemajić ka shënuar më shumë gola se kushdo tjetër në kontinent, për ta ruajtur epërsinë ndaj “gjigantëve” si Haaland dhe Mbappé, ai duhet të vazhdojë të shënojë me të njëjtin ritëm deri në fund të sezonit.
