“Galaktikët” interesohet për Davies, presidenti i Bayern vendos “bllokadën”

Prej kohësh tashmë në mediat evropiane është përfolur se anësori kanadez i mbrojtjes, Alphonso Davies është një nga objektivat e “galaktikëve” të Real Madrid, për merkaton e ardhshme të verës, me 22-vjeçarin, që mund të thuhet me plot gojë se është një nga më të mirët në botë për pozicionin e tij.

Ndërkohë, agjenti i kanadezit, Nick Huoseh, gjithashtu ka nxitur së fundmi me një deklaratë mundësinë e një transferimi në Madrid.

“Ka interes nga shumë ekipe. Kam lexuar të njëjtat artikuj në internet, por në fund do të shohim se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm,” tha Huoseh për 365 Scores së fundmi. “Unë jam i sigurt se Real Madrid mund të jetë një nga klubet që do të donte të nënshkruante me Davies, së bashku me disa klube të Premierligës angleze. Ata të gjithë duan të kenë një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në botë.”

Mirëpo, Presidenti i “bavarezëve”, Herbert Heiner është shprehur se “gjigantët” e futbollit gjerman nuk e kanë plan ta lëshojnë “yllin” kanadez, duke llogaritur këtu faktin, se kontrata e lojtarit skadon në verën e vitit 2025.

“Davies është lojtari ynë edhe për dy vite të tjera. Ne jemi shumë të lumtur që e kemi në gjirin tonë dhe e cilësojmë si mbrojtësin e majtë më të mirë në botë. Sigurisht që duam ta mbajmë Alphonso-n dhe shpresojmë se dëshira e tij është e njëjtë si jona”,- u shpreh Heiner.

Ndërkaq, kujtojmë se në “Allianz Arena”, Davies u transferua në verën e vitit 2019, ku “bavarezët” shpenzuan plot 14 milionë euro në arkat e skuadrës kanadeze Vancouver. Përsa i përket sezonit aktual, Davies ka zhvilluar deri më tani plot 18 ndeshje, në 4 kompeticione të ndryshme, ku ka arritur të regjistrojë 3 asistime për shokët e tij të skuadrës./albeu.com


Shtuar 14.11.2023 15:29