Gafat e Onana, tifozët kërkojnë rikthimin e De Gea-s

Manchester United bëri një revolucion në portë në merkaton e verës teksa pas më shumë se një dekade, largoi David de Gean duke marrë në skuadër Andre Onanan.

“Djajtë e Kuq” e blenë gardianin për 40 milionë euro nga Interi me idenë se kameruasi do të bëhej një siguri e shtuar në katërkëndësh.

Por, deri tani nuk ka shkuar siç duhet, madje, që në ndeshjet para-sezonale, Onana e ka nisur me një gafë të rëndë ku pësoi një gol nga mesi i fushës. Kulmi u arrit në mbrëmjen e djeshme ku Manchester United u mposht 2-3 nga Galatasaray në ‘Old Trafford’.

Onana gaboi sërish duke i dhuruar një top kundërshtarit në golin e barazimit 1-1 ndërsa në atë të përmbysjes 2-3 u pozicionua keq duke u ndëshkuar nga Mauro Icardi me parabël që mund të evitohej lehtësisht pasi topi nuk u ngrit shumë lart.

Onana ka pësuar mesatarisht 2.5 gola për lojë. Tifozët kanë filluar të lodhen nga gabimet e tij dhe në rrjetet sociale ka nisur një fushatë për të parë De Gean përsëri në fanellën e Djajve të Kuq.


Shtuar 4.10.2023 18:15