Futbollisti serb: Shqiptarët mezi po e presin ndeshjen, do ta shohim në fushë!

Mesfushori i Serbisë, Uros Racic, ka folur për duelin e së shtunës ndaj Shqipërisë, duke e cilësuar një përballje të rëndësishme dhe me shumë intensitet.

Në një deklaratë për mediat, Racic theksoi se të dyja skuadrat e presin me padurim këtë ndeshje, ndërsa theksoi respektin për Kombëtaren shqiptare:

“Ata janë një ekip i mirë kombëtar, kundërshtari ynë i madh. Ata janë një kundërshtar i fortë dhe i vështirë, ata meritojnë respekt si të gjitha ekipet e tjera kombëtare. Mund të shoh se ata mezi presin ndeshjen, njësoj si ne, kështu që gjithçka do të shihet në fushë. Ata lanë një përshtypje të mirë në Kampionatin Evropian”, – tha Racic, sipas raportimit të Federatës së Futbollit të Serbisë.

Shqipëria dhe Serbia do të përballen të shtunën, në “Air Albania”, nga ora 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Ndeshja pritet të jetë ndër më të nxehtat e grupit dhe me interes të jashtëzakonshëm në rajon. /gazetblicsport/


Shtuar 5.06.2025 13:36