FSHF ndryshon prapë mendje, formula e re si do të zgjidhjet fituesi i kampionatit

Dikur për të ndryshuar formulën e kampionatit dhe të çdo turneu të futbollit, vendimi merrej për sezonin pasardhës, jo për atë që pritej të fillonte.

Sot jetojmë në një kohë tjetër, kur në Federatën Shqiptare të Futbollit ndryshimin e bëjnë jo vetëm sot për nesër, por edhe sot për sot.

Në dokumentacionin e rregullores së Superligës për këtë sezon, që duhet të jetë botuar në shtator, shihet se formati i kampionatit është tjetër në krahasim me atë që u vendos nga Komiteti Ekzekutiv në korrik.

Në korrik u tha që skuadrat e renditura në 4 vendet e para do të përballeshin me njëra-tjetrën, ku secila do të luante 3 ndeshje, por fillimisht do të zeroheshin pikët.

Ekipi me më tepër pikë të grumbulluara në këto 3 ndeshje të cilat do të luheshin në “Air Albania”  do të shpallej kampion.

Kjo skemë duket se nuk do të funksionojë në këtë mënyrë, për faktin se në rregulloren e botuar, FSHF ka bërë disa ndryshime.

Sipas formulës së re, pas përfundimit të 36 javëve të sezonit të rregullt, do të ketë një play off në formë kupe, pra me eliminim.

Vendi i parë do të luajë me vendin e katërt, dhe i dyti me të tretin.

Dy ekipet fituese do të përballen në finale, ku zgjidhet dhe kampioni i edicionit. Në rast barazimi në gjysmëfinale, ekipi me renditjen më të mirë gjatë kampionatit, kalon më tej.

Pra nga 3 përballje që do luheshin në ‘final 4’ e publikuar në muajin korrik, tani skuadrat do të luajnë nga 1 ndeshje, dhe vetëm fituesit mbërrijnë në finale. Edhe nëse në finale ka barazim, do të aplikohet koha shtesë e më pas penalltitë.


Shtuar 11.10.2023 18:02