Kombëtarja shqiptare do të nisë një kapitull të ri në UEFA Nations League, ku në muajt shtator dhe tetor do të luajë katër ndeshjet e para të Grupit 1 të Ligës C.
Të lidhura
None found
Takimi i parë do të zhvillohet në shtëpi kundër Bjellorusisë më 26 shtator. Kuqezinjtë do të vijojnë më pas me dy sfida në transfertë, të programuara për 29 shtator dhe 3 tetor, ndërsa në “Air Albania” do të rikthehen më 6 tetor për përballjen me San Marinon.
Për dy ndeshjet që do të luhen në stadiumin “Air Albania”, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se biletat tashmë janë në shitje. Ato ofrohen sipas kategorive të tribunave të stadiumit, me çmime që nisin nga 500 lekë.
FSHF u bën thirrje tifozëve dhe të gjithë dashamirësve të futbollit të jenë të pranishëm në stadium për të mbështetur Kombëtaren shqiptare në këtë rrugëtim të ri në UEFA Nations League.
Prania e tifozëve konsiderohet e rëndësishme për sfidat e kuqezinjve, të cilët synojnë ta përfundojnë grupin në vendin e parë dhe të sigurojnë një pozicion sa më të favorshëm në rrugën drejt kualifikimit për Kampionatin Europian “EURO 2028”.
Federata thekson se biletat mund të blihen vetëm ONLINE përmes adresës https://al.ebileta.al/biglietteria/listaEventiPub.do. Çdo faqe tjetër që ofron shitje biletash nuk është e autorizuar.
Për të blerë biletën në ebileta.al, fillimisht duhet të regjistroheni në platformë duke përdorur një adresë e-mail.
Pas regjistrimit, zgjidhni tribunën e stadiumit dhe më tej ulësen ku dëshironi të qëndroni.
Kur të keni përfunduar përzgjedhjen e ulëseve, plotësoni në tabelën dialoguese të dhënat e kërkuara për biletat: mbiemrin, emrin dhe adresën e e-mailit.
Në hapin e fundit kryeni pagesën duke vendosur të dhënat e kartës. Pas konfirmimit të pagesës, bileta do t’ju dërgohet në adresën e e-mailit me të cilën jeni regjistruar në platformë.
