Edhe pse ai ishte golashënuesi më i mirë për kombëtaren franceze në “Euro 2020”, me katër gola, duke përfshirë dy kundër Zvicrës, në 1/8 finale, ka zëra që tregojnë se kampionët e botës më 2018 ishin një skuadër më pak e ekuilibruar në kompeticionin e kësaj vere.
Kjo për shkak të përfshirjes së Benzema në formacionin titullar të transalpinëve. Këtë mendim ka edhe Raymond Domenech, trajneri me të cilin Franca doli nënkampione e botës më 2006.
“Franca humbi në Europianin e kësaj vere sepse luajti kundër natyrës së vet, për shkak të pranisë së Benzema në majën e sulmit. Ky ekip di të mbrojë, të mbajë topin, të durojë dhe të luajë kundërsulmin, kjo është filozofia e Francës, ADN-ja e saj.
Është e vërtetë që ne kemi potencial sulmues me djem si Mbappé, Griezmann dhe Benzema, por le të mos e llastojmë veten. Benzema te Real Madridi e merr topin pranë portës kundërshtare. Karim është i aftë të luajë në atë regjistër, për të qenë një pikë mbështetëse, për të mbajtur topin. Edhe për Kylian te PSG, ky sistem loje është baza e tij”, – shpjegoi Domenech në RTBF, televizioni publik belg.
Domenech njeh cilësinë e Benzema dhe beson se Franca mund të bëhet një skuadër e madhe me të, por konsideron se Deschamps nuk kishte kohë të punonte me sulmuesin madrilen para “Euro 2020”. Sipas mendimit të tij, mund të kishte qenë ndryshe nëse trajneri do ta kishte thirrur atë gjatë kualifikueseve:
“Në Kampionatin Evropian kishte një hendek midis filozofisë së thellë të ekipit dhe pritshmërive të rritura nga kthimi i Karim. Papritmas u transformua ekipi. Ne menduam se ishim si belgët, besuam se do të sulmonim dhe bënim lojëra të bukura.
Edhe shtypi bëri presion për të, duke thënë: Më në fund do të luajmë bukur. Ne dolëm kundër natyrës sonë dhe morëm një shuplakë shumë të madhe. Nëse Karim do të ishte kthyer gjatë ndeshjeve kualifikuese dhe Didier Deschamps ta kishte ndryshuar gradualisht stilin e lojës për shkak të tij, ndoshta do të kishte rezultuar një sukses”.
Franca, kampionët aktualë të botës, do të kenë një mundësi të re për të matur potencialin e tyre në fazën finale të Ligës së Kombeve, ku do të përballen sonte me Belgjikën (ora 20:45) në Torino, në gjysmëfinale.