Formacionet zyrtare, Skënderbeu-Vllaznia

Skënderbeu-Vllaznia është finalja e edicion it të 69-të të Kupës së Shqipërisë që do të luhet sot, në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”. Ky takim përcakton verdiktin e fundit, ku korçarët kërkojnë që ta fitojnë për herë të dytë, ndërsa shkodranët duan kupën e shtatë.

Finalja e Kupës luhet me ndeshje teke dhe nëse 90 minutat përfundojnë me barazim, luhen edhe 30 minuta shtesë dhe po vazhdoi baraspesha, do të nevojitet gjuajtja e penalltive për të përcaktuar fituesin. Nga ajo që kanë dhënë dy klubet, i bie që finalja e Kupës të diskutohet nga dy surprizat e sezonit. Vllaznia dhe Skënderbeu janë klubet më të vjetra në vend, kështu që nuk mund të quhet surprizë prania e tyre në finale.

Surpriza ka të bëjë me arritjen që bënë klubet, referuar organikës që ndërtuan në fillim të sezonit, ku Vllaznia vinte pas sigurimit të mbijetesës në Superiore me ndeshje shtesë, ndërsa Skënderbeu i dënuar nga UEFA dhe pa perspektivë në Europë u ndërtua me lojtarë të rinj.

Por, shkodranët nën drejtimin e trajnerit Brdariç udhëhoqën pjesën më të mirë të kampionatit dhe titulli ua mori Teuta për 4 gola. Ndërsa, Skënderbeu, para se ta merrte trajneri Memelli quhej i rënë, por korçarët arritën të mbijetojnë edhe pa ndeshje shtesë dhe tani oreksin e kanë në Kupë.

Finalja është një betejë mes dy qyteteve me traditë në Shqipëri. Në Shkodër dhe Korçë kërkojnë që sot të gëzojnë dhe ta “pinë me fund kupën”. Ky është trofeu i fundit i sezonit në elitë dhe pa dyshim që Skënderbeu dhe Vllaznia presin një fund të lumtur.

FORMACIONET ZYRTARE:

SKËNDERBEU-VLLAZNIA

VLLAZNIA (4-2-3-1): Bojan Zogovic; Erdenis Gurishta, Mevlan Adili, Eni Imami, Aleksandar Isaevski; Ardit Krymi, Fjoart Jonuzi; Herald Marku, Viktor Da Silva, Arsid Kruja; Haris Dilaver. Trajner: Tomas Brdariç

SKËNDERBEU (5-3-2): Bekim Rexhepi; Vangjel Zguro, Leard Sadriu, Leonat Vitija, Randi Dumfur, Jorgo Meksi; Zhan Viktor, Shqiprim Taipi, Kosta Vangjeli; Uerdi Mara, Alfred Mensah. Trajner: Migen Memelli.


Shtuar 31.05.2021 18:20