Forbes zbulon më të pasurit: Messi ja kalon Ronaldos

Prestigjiozja Forbes ka publikuar listën me sportistët të cilët kanë fituar më shumë para gjatë vitit të kaluar. Ai që kryeson dhjetëshen e parë vjen nga bota e futbollit dhe bëhet fjalë për Lionel Messi me “pleshtin” që ka fituar plot 130 milionë dollar. Në listën e vitit të kaluar argjentinasi ishte renditur i dyti pas Connor McGregor, por transferimi te PSG ka ndikuar në të ardhurat e 34-vjeçarit.

Ndërkohë, i dyti në listën e Forbes është basketbollisti i Los Angelos Lakers, Lebron James i cili ia ka dalë të fitojë plot 121 milionë dollar. Sakaq, podiumi i listës së sportistëve që kanë fituar më shumë vitin e kaluar plotësohet me Cristiano Ronaldon. Portugezi është si një “magnet” për sponsorët dhe ia ka dalë të vendosë në kasafortën e tij të kursimeve 115 milionë dollar. Pas sulmuesit të Manchester United renditet një tjetër futbollist. Neymar ka fituar plot 95 milionë dollarë, ndërsa pas brazilianit renditet ylli i Golden State Warriores, Stephen Curry me basketbollistin që ka fituar 92.8 milionë dollarë.

Ndërkaq, pas Curryt renditet një tjetër basketbollist. Kevin Durant ka fituar 92 milion dollarë, më pas vjen tenisti Roger Federer me 90.7 milionë dollar, boksieri meksikan Canelo Alvarez me 90 milion dollarë, ylli i futbollit amerikan, Tom Brady me 83.9 milionë dollar dhe mbyll dhjetëshen e parë basketbollisti Milwaukee Bucks, Giannis Antetokounmpo me një fitim prej 80.9 milionë dollar. Vlen të theksohet se jashtë kësaj liste ka mbetur luftëtari i famshëm Connor McGregor, apo edhe piloti i Formula 1, Lewis Hamilton.


Shtuar 12.05.2022 19:07