Foda: Kam punuar më herët me futbollistë kosovarë, jam i sigurt që do të arrijmë rezultate të mira

Franco Foda ka folur në konferencën e parë për shtyp për grumbullimin e muajit mars, ku Dardanët kanë për të luajtur dy ndeshje.

Përzgjedhësi gjerman i Dardanëve ka thënë se ka përcjellë situatën e futbollistëve të Kosovës dhe ka një plan të qartë se si do t’i qasen ndeshjes me Armeninë.

“Kemi një plan të qartë të cilit do t’i përmbahemi për ndeshjen ndaj Armenisë. Kemi përcjellë ndeshjet e lojtarëve, por i kemi përcjellë edhe nëpërmjet televizionit si kanë luajtur dhe kemi përzgjedhur këta lojtarë”, tha Foda.

Ai ka thënë se ka punuar më parë me futbollistë nga Kosova, derisa foli edhe për bisedat që kishte me krerët e FFK-së.

“Gjithsesi çdo lojtar e ka mundësinë të tregoj veten për lojërat e ardhshme. Së fundi kam punuar në Zuerich dhe pas një periudhe kam nënshkruar kontratën e re. Më ka ardhur oferta prej federatës së Kosovës”.

“Kemi zhvilluar bisedime shumë të mira. Është përmendur se duan të ndërrojnë shumë gjëra në ekip. Kam punuar shumë me lojtarë të Kosovës te Zuerichu dhe te Kaiserslauterni”, tha Foda.

Krejt në fund ai tha se është i sigurt se do të arrijë rezultate të mira me Kosovën.

“Kosova ka ekip shumë interesant dhe lojtar shumë interesant dhe jam shumë i sigurt që do të arrijmë rezultate të mira”, deklaroi Foda. /Telegrafi/


Shtuar 18.03.2024 13:36