Kampionati Europian U-17 “Shqipëri 2025” do të mbyllet të dielën në mbrëmje me finalen e madhe mes Francës dhe Portugalisë, që do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” në orën 20:30.
Franca synon të rikthehet te trofeu pas një mungese trevjeçare, ndërsa Portugalia kërkon të hakmerret për finalen e humbur një vit më parë, duke shpresuar këtë herë ta ngrejë kupën në Tiranë.
Të dyja skuadrat e nisën rrugëtimin e tyre në këtë turne nga Grupi A, ku kishin përballë edhe Shqipërinë dhe Gjermaninë.
Franca dhe Portugalia e përfunduan fazën e grupeve me nga 7 pikë, ndërsa ndeshja direkte mes tyre përfundoi në barazim pa gola, 0-0.
Në gjysmëfinale, Franca mposhti Belgjikën me rezultatin 3-2, ndërsa Portugalia eliminoi Italinë pas ekzekutimit të penalltive.
Dy nga ekipet më në formë të këtij Europiani do të përballen për trofeun, në një finale që pritet të jetë një mbrëmje spektakli në “Arenën Kombëtare”, duke përmbyllur me dinjitet një turne historik të zhvilluar në Shqipëri.