Joan Capdevila, pjesëtar i Spanjës që fitoi Kupën e Botës në vitin 2010, rrezikon të mos jetë i pranishëm në finalen e së dielës mes Spanjës dhe Argjentinës. Ish-mbrojtësit të kombëtares i është refuzuar Autorizimi Elektronik i Udhëtimit (ESTA), çka ia pamundëson udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara përmes programit të heqjes së vizave.
Për këtë arsye, Capdevila i është drejtuar publikisht presidentit amerikan Donald Trump, duke kërkuar ndihmë pas vendimit që i mohoi hyrjen në SHBA.
Të lidhura
None found
“Kam nevojë për ndihmë, Donald Trump. Më thanë vetëm se nuk mund të udhëtoj në finale me fëmijët e mi sepse ESTA ime u refuzua”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Federata Spanjolle e Futbollit kishte ftuar futbollistët e përfaqësueses që i solli Spanjës titullin e parë botëror në vitin 2010. Capdevila planifikonte të shkonte në New York së bashku me fëmijët e tij, për ta ndjekur ndeshjen pranë ish-shokëve të skuadrës.
“Federata më ftoi si një legjendë të Spanjës dhe mezi prisja të shkoja me fëmijët dhe familjen time”, deklaroi 48-vjeçari për radion spanjolle Cadena SER.
Sipas tij, federata ka tentuar të gjejë një rrugëzgjidhje, por zbatimi i rregullave amerikane ka qenë tepër i rreptë.
Shkaku i refuzimit të ESTA-s lidhet me një ndeshje të zhvilluar në Iran. Në fillim arsyeja nuk ishte bërë e ditur, ndërsa Capdevila e sqaroi më vonë gjatë një interviste për emisionin El Partidazo de COPE.
“ESTA ime u refuzua sepse luajta një ndeshje të rregullt të LaLiga Legends në Iran dhjetë vjet më parë”, shpjegoi Capdevila.
Në gusht të vitit 2016, ai u përfshi në një skuadër të përbërë nga ish-yje të ligës spanjolle, e cila luajti në Teheran kundër legjendave të futbollit iranian. Takimi u zhvillua në stadiumin Azadi dhe, përveç Capdevilës, në atë ekip ishin Eric Abidal, Michel Salgado, Claude Makelele, Gaizka Mendieta, Marcos Senna dhe Fernando Morientes.
Rregullat e Programit të Heqjes së Vizave në SHBA përcaktojnë se shtetasit e vendeve që përfshihen në regjimin pa viza, të cilët kanë qëndruar në Iran pas 1 marsit 2011, nuk mund të udhëtojnë më në SHBA duke përdorur ESTA-n.
Përjashtimet janë tepër të kufizuara dhe lidhen kryesisht me udhëtimet diplomatike ose ushtarake të kryera në shërbim të shtetit. Meqë vizita e Capdevilës në Iran ndodhi në vitin 2016, ai duhet të aplikojë për një vizë të zakonshme amerikane.
Megjithatë, refuzimi i ESTA-s nuk nënkupton një ndalim të përhershëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ai vetëm nuk mund të përdorë më procedurën e lehtësuar të rezervuar për shtetasit e vendeve pjesë e programit të heqjes së vizave.
Departamenti Amerikan i Shtetit sqaron se personat që kanë qenë në Iran mund të kërkojnë vizë vizitori pranë një ambasade ose konsullate amerikane. Vështirësia qëndron te koha e kufizuar deri në finale, pasi pajisja me vizë kërkon një procedurë të veçantë dhe, në shumicën e rasteve, intervistë në konsullatë.
Capdevila ka regjistruar 60 paraqitje me Spanjën dhe ishte mbrojtësi i majtë titullar i ekipit që fitoi Kampionatin Evropian 2008, si edhe Kupën e Botës dy vjet më vonë.
