Franco Mastantuono ka vendosur emrin e tij në historinë e futbollit argjentinas, duke u bërë lojtari më i ri nga ky shtet që realizon një het-trik në pesë ligat kryesore të Evropës.
Të lidhura
None found
18-vjeçari, i huazuar nga Real Madridi te Fiorentina, ishte vendimtar në triumfin 4-2 ndaj Venezias të premten. Ai shënoi tri herë dhe ndihmoi ekipin të siguronte pikët e para të sezonit.
Dy golat e parë Mastantuono i realizoi brenda 90 sekondash, rreth minutës së 30-të, ndërsa golin e tretë e gjeti pak para përfundimit të takimit, duke kompletuar het-trikun.
Në moshën 18 vjeç e 28 ditë, argjentinasi theu rekordin e Lionel Messit për lojtarin më të ri që shënon tri gola në një ndeshje në pesë ligat kryesore evropiane.
Messi e kishte realizuar het-trikun e parë me Barcelonën në mars të vitit 2007, kur ishte 19 vjeç e 259 ditë.
Paraqitja e tij ndaj Venezias e bëri Mastantuonon gjithashtu futbollistin më të ri në historinë e Fiorentinës që shënon het-trik.
“Për mua është një nder të hyj në historinë e një klubi kaq prestigjioz. Ishte e rëndësishme të merrnim një rezultat sot dhe luajtëm një ndeshje të madhe. Jam i lumtur për fitoren, përveç golave”, deklaroi Mastantuono.
Pas këtij suksesi, ai kryeson renditjen e argjentinasve më të rinj që kanë shënuar het-trik në pesë ligat kryesore të Evropës, duke lënë pas Lionel Messin, Mauro Icardin, Antonio Angelillon dhe Gonzalo Higuainin.
Argjentinasit më të rinj me het-trik në pesë ligat kryesore:
Franco Mastantuono – 18 vjeç, 28 ditë
Lionel Messi – 19 vjeç, 259 ditë
Mauro Icardi – 19 vjeç, 343 ditë
Antonio Angelillo – 20 vjeç, 17 ditë
Gonzalo Higuain – 20 vjeç, 334 ditë./
