Ermir Lenjani nënshkruan me Schaffhausenin

Ermir Lenjani është përforcimi më i ri i Schaffhausenit, ekip që bën gara në kategorinë e dytë zvicerane.

Lenjani është prezantuar të mërkurën te Schaffhauseni nga Admir Mehmedi, i cili është drejtor sportiv i këtij ekipi.

34-vjeçari te Schaffhauseni është transferuar si lojtar i lirë dhe ka firmosur kontratë deri në fund të këtij edicioni, ndërsa në gjashtë muajt e fundit ishte pa klub, pasi i skadoi kontrata me Umraniyesporin.

Schaffhauseni është klubi i pestë për Lenjanin në Zvicër, pasi që më herët ka luajtur për Winterthurin, Grasshopperin, St Gallenin e Sionin.

Ai karrierë ka bërë edhe në Francë, ku ishte pjesë e Nantesit dhe Rennesit, ndërsa ka edhe 44 paraqitje dhe katër gola të shënuar me Shqipërinë.

Lenjani do ta bartë fanellën me numrin 33 të Schaffhauseni, ekip që zë vendin e fundit në Challenge League. /Telegrafi/


Shtuar 17.01.2024 17:38