Erling Haaland me het-trik, Norvegjia dominoi Kosovën në Oslo

Norvegjia ka shënuar fitore ndaj Kosovës me rezultat të thellë 3-0 në ndeshjen miqësore që u zhvillua në stadiumin “Ullevaal” në Oslo.

Kosova e nisi ndeshjen mirë, duke kontrolluar gjithçka, por kjo nuk mjaftoi, pasi nuk vonoi shumë dhe një aksion i bukur i Norvegjisë zhbllokoi ndeshjen.

Zhvillohej minuta e 15-të, kur David Moller Wolfe harkoi bukur në zonë për ta gjetur Erling Haalandin, i cili me kokë shënoi për 1-0.

Pas golit, Kosova mbeti pa Valon Berishën, që nuk mundi të vazhdojë lojën pas një dëmitmi, ndërsa në vend të tij u fut Albion Rrahmani.

Në minutën e 36-të, Haaland ka mundur të shënojë edhe golin e dytë me kokë, por Visar Bekaj bëri një pritje të madhe duke e dërguar topin në këndore.

Pas pak minutash edhe Elbasan Rashani u largua nga fushë pas një dëmtimi, ku në vend të tij u fut Bernard Berisha.

Martin Odeegard gjuajti bukur në minutën e 40-të, por topi shkoi ngjitur me shtyllën.

Kosova kishte dy mundësi në fund me Leart Paqaradën dhe Edon Zhegrovën, por gjuajtjet e tij nuk qëlluan cakun.

Në minutën e dytë shtesë, Zhegrova harkoi te Rrahmani, por goditja e tij me kokë shkoi ngjitur me shtyllën.

Pjesa e dytë nisi shumë mirë për Kosovën, por që edhe përkundër dominimit nuk arriti të shënonte, pasi nuk kishte edhe aksione të sakta.

Vedat Muriqi tentoi me kokë, por që topi përfundoi në duart e portierit Orjan Nyland.

Në minutën e 70-të, kur lojtarët dardanë po kontrollonin lojën, Bernard Berisha humbin një top dhe Norvegjia nisi një kundërsulm të shpejtë për të shënuar për 2-0.

Antonio Nusa asistoi te Erling Haaland i cili i vetëm me Bekajn gjuajti bukur për të gjetur rrjetën.

Pas pesë minutash, sërish ishte Erling Haaland që nga afër shënoi për 3-0, duke e kompletuar het-trikun.

Një paraqitje e zbehtë e Kosovës, që edhe përkundër mungesa të shumta, nuk pritej të luante kaq dobët. Kjo ishte miqësorja e vetme për Franco Fodan dhe Kosovën për muajin qershor, që tani duhet pres ndeshjet e Ligës së Kombeve që nisin në shtator. /Telegrafi/


Shtuar 5.06.2024 21:05