Shoqata e Bibliotekave Norvegjeze i ka dhënë yllit norvegjez të futbollit, Erling Haaland, çmimin “Miku i Vitit”.
Të lidhura
None found
Sulmuesi 26-vjeçar i Manchester Cityt mungoi në ceremoninë e ndarjes së çmimit. Për këtë arsye, trofeun në emër të tij e pranuan motrat Norah, 12 vjeçe, dhe Sofie, dyvjeçare.
“Rrofshin shkrimtarët, mësuesit, studentët, shkollat dhe librat. Të gjithë së bashku përbëjnë një ekip të rëndësishëm”, thuhej në mesazhin e Haalandit për këtë vlerësim.
Gjatë këtij viti, Haalandi pagoi 120 mijë euro, afërsisht 1.3 milionë korona norvegjeze, për librin më të shtrenjtë në historinë e Norvegjisë. Bëhet fjalë për një kopje të botimit të parë të shtypur norvegjez të “Sagave Mbretërore”, vepër e autorit, historianit, poetit dhe kronistit islandez Snorri Sturluson.
Futbollisti e kaloi fëmijërinë në Bryne, qytetin ku hodhi edhe hapat e parë në futboll, të cilit së fundmi i dhuroi një bibliotekë.
Haalandi ka financuar gjithashtu një konkurs leximi të organizuar për shkollat fillore në Rogaland. Klasa që do ta fitojë garën do të ftohet për të ndjekur në Oslo një ndeshje të kombëtares norvegjeze.
Të gjitha kostot për transportin, akomodimin dhe qëndrimin e nxënësve gjatë ndeshjes do të paguhen nga Haalandi.
“Kam një lidhje të fortë me Brynen dhe blerja e librit të lartpërmendur është thjesht dhurata ime për gjithçka. Nuk kam qenë kurrë një lexues i madh dhe më vjen shumë keq për këtë. Tani e kuptoj se sa e rëndësishme është që në moshë të re të lindin ëndrrat”, deklaroi ylli norvegjez i futbollit.
