“Emocion i veçantë të jem në dy Europiane”, Ajeti premton surprizën: Me shqiptarët përkrah do të bëjmë diçka të madhe

Arlind Ajeti do të jetë nga të paktën lojtarë shqiptar që do të përjetëojë për herë të dytë emocionet e kualifikimit në Europian.

Mbrojtësi ka marrë ftesën e Sylvinhos dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Euro 2024.

I lumtur për këtë thirrje, ai ka zbuluar emocionet që përjetoi kur pa emrin e tij në televizor, ndërsa flet edhe për objektivat e kuqezinjve.

“Shpresat gjithmonë kanë qenë që të jem pjesë e listës, por vendimet e trajnerit nuk i kemi ditur deri në momentin e konferencës, kur edhe u publikuan emrat. Kam përjetuar emocion të veçantë kur pashë në listë edhe emrin tim. Gjithmonë është e veçantë kur të thërret kombëtarja.

I kam përjetuar njëherë emocionet e finaleve të Europianit në Francë, do të jetë kënaqësi t’i provoj sërish kësaj vere. Kur t’i afrohemi ndeshjes së parë do t’i ndiejmë emocionet edhe më shumë.

Për mua, por edhe për çdo lojtar, sigurisht që është shumë e rëndësishme paraqitja në Evropian. Është ëndërr për çdo lojtar. Është diçka shumë speciale për mua, por edhe për çdo lojtar tjetër. Besoj se emocionet e vërteta do t’i përjetojmë në momentin kur edhe do të fillojë ngjarja madhore.

Mundësitë i kemi, edhe pse është grup shumë i vështirë. Besoj se kemi mundësi të bëjmë diçka të madhe. Nuk besoj se do ta kemi të lehtë, por përkrahja e shqiptarëve do të jetë motiv shumë i madh për ne”, tha Ajeti në ‘KOHA’.


Shtuar 29.05.2024 16:18