Mbyllet në barazim 1-1 sfida mes Egnatias dhe Vllaznisë, që çeli javën e 13-të të kampionatit Abissnet Superiore në RTSH.
Vendasit shënojnë që nga tuneli, pasi gjejnë rrugën e rrjetës pa kaluar akoma një minutë lojë me Lushkjën, që befason portierin Qarri me një gjuajtje të bukur. Egnatia luan më mirë në pjesën e parë dhe ka disa mundësi për të dyfishuar shifrat.
Pjesa e dytë nis më mirë për Vllazninë, që arrin të gjejë golin e barazimit me Dodajn. Shkodranët janë më kërkues në pjesën e dytë dhe sulmojnë në kërkim të golit të avantazhit, ndërsa vendasit mundohen të “godasin” në kundërsulm.
Pavarësisht përpjekjeve nga të dy kampet, rezultati i sfidës nuk ndryshon. Mbyllet 1-1 dhe Egnatia dhe Vllaznia detyrohen që të ndajnë nga një pikë.