Egnatia fitore me përmbysje me Tiranën, “blindon” vendin e parë

Pas humbjes në derbi, Tirana bie edhe përballë Egnatias, duke humbur 2-3 në “Selman Stërmasi” dhe komplikuar situatën në renditje, me rrogozhinasit që shkëputen në krye.

Duket se e keqja te bardheblutë nuk është trajneri, që në 5 ndeshjet e fundit kanë marrë 4 humbje, dy nën drejtimin e Orges Shehit dhe dy nën udhëheqjen e Julian Ahmatajt.

Sa i përket sfidës së fundit, ajo nisi shumë mirë për vendasit, të cilët kaluan në avantazh në minutën e katërt falë golit me kokë të Bruno Lulajt.

Gjithsesi, Duamena barazoi shifrat pas gjysmë ore lojë. Festa e Egnatias zgjati 6 minuta, pasi braziliani Kaina shënoi me kokë pas krosimit të Jonuzit nga e majta, duke rikthyer Tiranën në avantazh. Pjesa e dytë foli për miqtë, të cilët përmbysën rezultatin. Kapiteni Duamena realizoi një eurogol në minutën e 53’. Ky ishte goli i tetë sezonal për afrikanin, i cili kryeson i vetëm renditjen e golashënuesve. Goli i fitores erdhi dhjetë minuta më vonë. Lituanezi Paulauskas shënoi me kokë dhe vulosi triumfin e Egnatias, që i menaxhoi minutat e mbetura të takimit.

Në sekondat e fundit, Duamena u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të patolerueshme kundër Najdovskit. Në minutën e 101′, Tirana kishte një shans të artë për të evituar humbjen, por ndërhyrja e portierit Sherri dhe traversa evituan golin e bardhebluve. Përfundimisht 2-3 për skuadrën e Edlir Tetovës që regjistroi një fitore të madhe në kryeqytet duke u konfirmuar në vendin e parë.


Shtuar 23.10.2023 16:22