E duan në Premier Ligë, Interi i vendos çmimin mbrojtësit

Denzel Dumfries ka të ngjarë të largohet nga Interi në fund të sezonit, por Nerazzurrët duan të paktën 20 milionë euro për mbrojtësin e djathtë holandez.

Kontrata e Dumfries me Interin skadon në qershor 2025, por bisedimet për një marrëveshje të re në Stadio Meazza nuk kanë çuar askund deri më tani.

Sipas ekspertit të transferimeve të Football Italia, Matteo Moretto, ka thënë se si Aston Villa ashtu edhe Manchester United e donin 27-vjeçarin në të kaluarën dhe tani edhe më shumë klube të Ligës Premier po pyesin për mbrojtësin holandez.

Dumfries është ‘shumë më afër largimit këtë verë sesa qëndrimit’, ka thënë Moretto, i cili beson se klubi zikaltër i ka vendosur edhe çmimin lojtarit.

Eksperti italian i transferimeve shtoi se çmimi i kërkuar i Interit ndoshta do të ishte rreth 20 milionë euro duke qenë se kontrata e Dumfries skadon në më pak se 18 muaj.

Prilli dhe maji do të jenë muaj vendimtarë për të përcaktuar të ardhmen e mbrojtësit të Interit, i cili ka shënuar nëntë gola në 117 paraqitje me Nerazzurrët.

Dumfries filloi tre ndeshjet e fundit të Serie A në stol, ndërsa nënshkrimi i janarit, Tajon Buchanan mund të jetë zëvendësuesi i tij afatgjatë në Stadio Meazza. /Telegrafi/


Shtuar 14.02.2024 15:52