Jerome Boateng vazhdon që të jetë pa ekip që prej verës së shkuar, kohë kur mbylli bashkëpunimin me Olympique Lyon. Por tashmë mesa duket, “gjiganti” i mbrojtjes pritet t’i rikthehet futbollit të luajtur.
Sipas mediave italiane, Boateng është në bisedime me Salernitanën, për një transferim të mundshëm në Serie A. Klubi italian ka si qëllim kryesor mbijetesën dhe për ta arritur këtë objektiv i duhet eksperienca. Këtë të fundit, drejtuesit e italianëve shpresojnë ta gjejnë te mbrojtësi gjerman që ka shumë eksperiencë mbi shpatulla.
Një rol mjaft “kyç” në këto bisedime po luan edhe Franck Ribery. Në rolin e menaxherit tek klubi italian, Ribery ka një miqësi të ngushtë me Boateng që në kohën kur të dy ishin pjesë e Bayern Munchen. Ribery po këmbëngul për ta bindur gjermanin që t’u bashkohet, teksa këto orë pritet të jenë vendimtare.
Kujtojmë që Boateng ka një karrierë të pasur. Në të shkuarën 35-vjeçari ka laujtur me ekipe si Hertha Berlin, Hamburg, Manchester City dhe Bayern Munchen, para se të transferohej në Francë tek Lyon. Me bavarezët kanë qenë kohë të arta për Boateng, pasi ka fituar dy herë tripletën. Teksa një sezon mjaft i mirë për të ka qenë edhe ai i 2014, ku fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë duke qenë një nga protagonistët kryesorë. /newsport.al/