Një raportim i ri ka pretenduar se Pep Guardiola mund të largohet nga Manchester City, teksa një emër befasues është duke u konsideruar për ta zëvendësuar atë.
53-vjeçari ka shijuar një periudhë tejet të suksesshme nën udhëheqjen e Manchester Cityt, që prej se iu bashkua atyre në vitin 2016.
Guardiola mori ‘frenat’ e klubit nga Manuel Pellegrini, dhe që nga ajo kohë ai ka fituar pesë herë titullin e Ligës Premier, një herë Ligën e Kampionëve, si dhe dy herë Kupën FA.
Ai ka momentalisht kontratë me Cityn deri në përfundim të sezonit 2024/2025, pasi kishte nënshkruar një kontratë dyvjeçare në 2023.
Por, ka dyshime nëse ai do ta zgjasë më tutje bashkëpunimin me ‘Qytetarët’ për shkak se ata janë në pritje të rezultatit për hetimet lidhur mbi 115 thyerjet e dyshuara të rregullave të fair-play financiar.
Gazetari spanjoll Jorge Picon pretendon se City tashmë po synon ta planifikojë të ardhmen pa Guardiolën. Ai shtoi se City janë duke konsideruar mundësinë e emërimit të trajnerit të Gironës, Michel, për të zëvendësuar Guardiolën në rast largimi në 2025.
“Pesimizmi po rritet rreth vazhdimit të trajnerit përtej vitit 2025, kur skadon kontrata e tij, dhe në mesin e kandidatëve për ta zëvendësuar atë, një trajner ‘nga shtëpia’: Michel”, ka thënë Picon.
Michel po shijon një sezon fantastik me Gironën, klub i cili është në pronësi të City Football Group. Girona është momentalisht në pozitën e tretë në La Liga dhe deri në fund do të synojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/