Skuadra e Dritës do të luajë sonte (e martë) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndaj Florianës, në kuadër të raundit të dytë eliminator të Ligës së Konferencës.
Të lidhura
None found
Takimi i parë mes dy ekipeve, i zhvilluar në Maltë, u mbyll në barazim 1-1, një rezultat që i lë garën plotësisht të hapur përballjen e kthimit. Gjilanaset u gjendën në avantazh në minutat shtesë falë një goli të realizuar nga Liridon Balaj, por gëzimi zgjati pak, meqë Floriana gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 102-të, në një sfidë që pati zgjatje të pazakontë për shkak të një defekti në ndriçimin e stadiumit.
Pavarësisht se ekipi kosovar prodhoi disa raste të pastra shënimi gjatë 90 minutave, mungesa e finalizimit bëri që sfida të mbyllej pa fitues. Tashmë, gjithçka vendoset në Prishtinë, ku Drita shpreson të përfitojë nga terreni miqësor dhe mbështetja e zjarrtë e tifozërisë për të siguruar kalimin në turin tjetër.
Për të arritur objektivin, trajneri dhe lojtarët synojnë të përsërisin paraqitjen e mirë nga ndeshja e parë, por këtë herë me një konvertim më të lartë të rasteve të krijuara para portës kundërshtare.
Në rast se i tejkalon maltezët, Drita do të përballet me ekipin e Tre Fiorit nga San Marino në raundin e tretë kualifikues të këtij kompeticioni. Takimi i kthimit starton në orën 20:00.
