Dominimi absolut i Bayernit në Gjermani shpërblehet me një yll

Bayern Munich është shpallur kampion i Bundesligës gjermane për të nëntën herë radhazi dhe kësisoj ka fituar trofeun e 30 në histori të klubit.

Pasi kanë arritur që të fitojnë 30 herë këtë trofe, klubit gjerman do t’iu shtohet ylli i pestë në fanellën e tyre, krahas stemës.

Rregullat e Bundesligës parashohin që ekipet e ligës së parë dhe ata të dytë të fitojnë nga një yll pas fitimit të titujeve me këtë sistem: 1 yll për 3 tituj, 2 yje për 5 tituj, 3 yje për 10 tituj, 4 yje për 20 tituj dhe 5 yje për 30 tituj.

Bayerni është klubi i vetëm në histori të Gjermanisë që ka arritur të fitojë 30 trofe të Bundesligës.

Presidenti i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge u shpreh shumë i lumtur për këtë sukses të klubit. “Ylli i pestë është fituar nga shumë gjenerata të lojtarëve dhe është provë e vazhdimësisë së Bayernit gjatë dekadave. Tifozët e Bayernit mund të ndihen krenarë për këtë.”

Fanellat e reja të Bayernit janë duke u përpunuar nga kompania e famshme amerikane, Adidas, ku është duke iu integruar ylli i pestë për herë të parë.


Shtuar 18.05.2021 23:50