Trajneri italian Gianni de Biasi, është dekoruar sot (e martë) në një ceremoni zyrtare nga kolegji Universum, me titullin “Doctor Honoris Causa” për promovimin e kombit shqiptar përmes sportit.
De Biasi shënoi një kapitull të rëndësishëm në historinë e futbollit shqiptar. Ai mori ‘frenat’ e kombëtares shqiptare në një periudhë shumë sfiduese dhe arriti të bënte ndryshime thelbësore në paraqitjen dhe imazhin e skuadrës.
Në vitin 2011, kur De Biasi mori përgjegjësinë e drejtimit të kombëtares shqiptare, ai u përball me sfida të shumta.
Megjithatë, me profesionalizmin dhe aftësitë e tij, ai arriti të vendoste një kulturë disiplinore dhe një mentalitet fitues në mesin e lojtarëve.
Momenti më i rëndësishëm i kohës së De Biasit me kombëtaren shqiptare ishte kualifikimi për UEFA Euro 2016, për herë të parë në historinë e saj.
Përveç suksesit sportiv, De Biasi u bë një figurë shumë e dashur për tifozët shqiptarë, të cilët e nderuan për punën dhe angazhimin e tij.
Ai ndryshoi perceptimin në botë për futbollin shqiptar dhe e bëri Shqipërinë të njohur në skenën ndërkombëtare të këtij sporti.
Të pranishme në këtë ceremoni ishin edhe mediat, ku pas përfundimit të saj tekniku italian iu përgjigj disa nga pyetjeve të gazetarëve, ku nuk mungonin ato për Kosovën.
I pyetur nëse do të pranonte një ofertë nga Kosova, De Biasi e la derën hapur, duke thënë se do të donte që një ditë të ishte në krye të Kosovës.
“Unë besoj që Kosova e ka marrë vendimin se kush do të jetë trajneri i ardhshëm. Federata e Futbollit të Kosovës më pëlqen shumë dhe do të doja që ta drejtoja një ditë”, ka thënë fillimisht De Biasi.
“Kosova mund të ec në gjurmët e asaj rruge që ka ndjekur kombëtarja e Shqipërisë. Është një skuadër me cilësi, që ka shumë lojtar të rinj, të mirë dhe interesant, të cilët mund të arrijnë çfarëdo rezultati”, përfundoi ai. /Telegrafi/